Njoftime për Shtyp

Mbështetje seksioneve të posaçme në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale

Mbështetje seksioneve të posaçme në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale

Elbasan, 5 tetor 2020. Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela nisi një tur vizitash në 7 prokuroritë kryesore pranë gjykatave të rretheve gjyqësore të vendit, ku janë krijuar seksionet e posaçme në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit mes Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë (përfshirë DPPPP, DPD e DPT) dhe Ministrit të Brendshëm (përfshirë DPPSH e AAPSK) “Për rritjen e efektivitetit në hetimet që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale, në funksion të përmbushjes së rekomandimeve të KSA -së e FATF dhe Planit të Veprimit ICRG/FATF” dhe në zbatim të Udhëzimit të Përgjithshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, “Për masat administrative dhe procedurale për rritjen e efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave, krimeve financiare, financimit të terrorizmit dhe në hetimet pasurore në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”.

Në vizitën e tij të parë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, Prokurori i Përgjithshëm inkurajoi dhe nxiti prokurorët që janë pjesë e këtyre seksioneve të angazhohen me vendosmëri dhe përgjegjshmëri në hetimet që lidhen me krimet në fushën e tatimeve, doganave, pastrimin e produkteve të veprës penale, financimin e terrorizmit, dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale, duke garantuar efikasitet në hetimin dhe gjykimin e këtyre veprave penale si dhe goditjen e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme, një problem mjaft shqetësues për vendin.

Prokurori i Përgjithshëm gjatë takimit më strukturat e prokurorisë së rrethit gjyqësor Elbasan u ndal në situatën shqetësuese të kriminalitetit në këtë qytet, duke ofruar mbështetjen maksimale nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për të rritur efikasitetin në hetimin e veprave penale. Prokurori i Përgjithshëm kërkoi koordinim më të mirë të punës mes Prokurorisë, strukturave të Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese për të dhënë rezultate konkrete në goditjen ndaj kriminalitetit. Rezultatet që mund të arrijnë këto prokurori, do të sjellin edhe elementë shumë të rëndësishëm, të cilat më pas mund të jenë edhe pjesë e punës së Prokurorisë së Posaçme.