Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela takon Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu

Tiranë, 05 tetor 2021. Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë z. Olsian Çela priti sot në takim delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. 

Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm duke vënë theksin në rritjen e efikasitetit sa i përket ndihmës së ndërsjellë juridike mes dy vendeve. Nga të dy palët u vlerësua se është e nevojshme të rritet bashkëpunimi mes autoriteteve gjyqësore në drejtim të goditjes së aktiviteteve kriminale. 
Me interes të veçantë bashkëbiseduesit diskutuan për ecurinë e reformës në drejtësi, arritjet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi i prokurorisë shqiptare dhe asaj kosovare, në një kohë kur reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut është prioritet për të dy vendet. 

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se duke përdorur të gjithë strukturat ekzistuese dhe instrumentet ndërkombëtare të ndihmës reciproke të dy vendet do të jenë në gjendje t’i përgjigjen sfidave në luftën kundër kriminalitetit jo vetëm në të dy anët e kufirit, por edhe në nivel rajonal e global.