Njoftime për Shtyp
Njoftim për hapjen e procedurës së aplikimit të kandidatëve për zgjedhjen e 3 (tre)anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në datën 11 dhjetor 2018 Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhi 6 anëtarë prokurorë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), mandati i të cilëve përfundon në datën 11 dhjetor 2023 (data e përfundimit të mandatit respektiv për 3 anëtarët e KLP-së, sipas shortit të hedhur në momentin e krijimit të KLP-së, short që përcaktoi mandatin e tyre pesë-vjeçar).
Referuar kuadrit ligjor që përcakton zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve në KLP-së, me qëllim përmbushjen e detyrimit ligjor nga të gjitha organet kompetente, zgjedhja e anëtarëve të rinj duhet të kryhet jo më vonë se data 11 dhjetor 2023. Gjithashtu, bazuar në nenin 107 të ligjit 115/2016, jo më vonë se 4 muaj nga data e mbarimit të mandatit të anëtarëve të KLP-së, Prokurori i Përgjithshëm shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga prokurorët për pozicionin e anëtarit në KLP.
Nisur nga sa më sipër, sipas nenit 107 të ligjit 115/2016, afati i fundit ligjor brenda të cilit duhet të shpallet thirrja për paraqitjen e interesit për të kandiduar për pozicionin anëtar në KLP është data 11 gusht 2023. Duke qenë se për shkak të ligjit, muaji gusht është muaj i pushimeve vjetore në sistemin e drejtësisë dhe me qëllim që kandidatët dhe organet përkatëse të kenë kohën e mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore, afati i paraqitjes së kandidaturave përfundon në datën 4 shtator 2023.
Administrata e Prokurorisë së Përgjithshme, brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe shpall kandidaturat në faqen zyrtare. Vendimi për përjashtimin e kandidaturave bëhet nga Komisioni i Kualifikimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, i cili përbëhet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe dy prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Përgjithshme të caktuar me short. Kandidatët e përjashtuar nga Komisioni i Kualifikimit kanë të drejtë të ankohen brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.
Prokurori i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve të të gjithë niveleve, për zgjedhjen e kandidatëve, jo më vonë se 2 muaj para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve të KLP-së , sipas nenit 113 të ligjit 115/2016. Brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit në faqen zyrtare të institucioneve mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve për rrëzimin e kërkesës ose për përsëritjen e zgjedhjeve.
Bazuar në nenin 105, pika 2, të ligjit nr.115/2016, të ndryshuar, kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, bashkë me shprehjen e interesit, duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) deklaratat individuale të prokurorëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht,
c) formularin e vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”,
ç) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
d) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991,
dh) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;
e) informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. Këshilli i Lartë të Prokurorisë miraton dhe vë në dispozicion të të interesuarve një formular tip për dhënien e këtij informacioni,
ë) listën e personave të lidhur, të përcaktuar në ligjin për “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Paraqitja e shprehjes së interesit lejohet për 3 (tre) pozicione si anëtarë në KLP, në 2 (dy) prej të cilëve mund të zgjidhen prokurorë të shkallës së parë dhe në 1(një) pozicion mund të zgjidhen prokurorë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme.
Përsa më sipër, ftojmë prokurorët nga radhët e prokurorive të shkallëve të para të juridiksionit të përgjithshëm dhe të Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përfshirë dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që plotësojnë kriteret sipas ligjit 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të shprehin interesin e tyre për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Prokurorisë së Përgjithshme: Rruga Rr. Qemal Stafa, Nr.01, 1001, Tiranë.
Tiranë, më 24.07.2023