Njoftime për Shtyp

Presidenti i Republikës: “Mbështetje maksimale për luftën kundër krimit dhe korrupsionit”

 

Presidenti i Republikës: “Mbështetje maksimale për luftën kundër krimit dhe korrupsionit”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani ofron mbështetjen e tij të plotë për institucionin e prokurorisë. Ky qëndrim është shprehur gjatë takimit të parë zyrtar që Presidenti zhvilloi me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, menjëherë pas marrjes së funksionit, të hënën më datë 10.12.2012.
Presidenti theksoi rëndësinë e institucionit të akuzës në forcimin e shtetit ligjor, duke u fokusuar në çështje të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, Presidenti kërkoi nga Prokurori i Përgjithshëm të realizojë pavarësinë maksimale të institucionit të akuzës, si edhe të promovojë vlerat më të larta etike dhe morale të prokurorëve.
Z. Llalla, nga ana e tij, shprehu vlerësimin maksimal për besimin që ka treguar Presidenti i Republikës për dekretimin në postin e Prokurorit të Përgjithshëm, si edhe u angazhua që do të angazhohet për luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit në përgjithësi. Gjithashtu, z. Llalla theksoi se do të jetë promotor i vlerave pozitive në Prokurori, si edhe do të angazhohet maksimalisht për ruajtjen e integritetit dhe pavarësisë institucionale.

Data: 10.12.2012