Njoftime për Shtyp
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, merr pjesë Konferencën e 29-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve (IAP) në Baku, Azerbajxhan
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mori pjesë në Konferencën e 29-të vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve (IAP), e cila këtë vit u zhvillua në Baku, Azerbajxhan, nga 29 shtatori deri në 2 tetor 2024.
Gjatë konferencës u diskutuan çështje që lidheshin me transparencën dhe besimin e publikut tek organet e drejtësisë, hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale të dhunës në familje dhe atyre me bazë gjinore, praktikat më të mira ligjore dhe procedurale për mbrojtjen e viktimave, aplikimin e inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë penale, sfidat e prokurorisë në epokën dixhitale, sigurimin e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave në kuadër të përdorimit të provave dixhitale dhe inteligjencës artificiale, bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën ndaj krimit kibernetik etj.
Në datën 1.10.2024, ai zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm të Azerbajxhanit, Kamran Aliyev, me të cilin nënshkroi edhe një memorandum bashkëpunimi mes dy prokurorive që ka në fokus sigurimin e shkëmbimit mes palëve të informacioneve për legjislacionet, rregulloret dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë penale si dhe shkëmbimin e ekspertizës përmes pjesëmarrjes në konferenca, seminare apo trajnime të ndryshme etj.