Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, Z. Olsian Çela, prezantoi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë raportin vjetor për vitin 2023

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar zonja e zotërinj anëtarë,

Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, siç do të paraqitet në vijim.

Përgjatë vitit 2023 vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Kështu, ndër këto masa veçojmë:
- masat për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet, detajimit në planin e veprimit të miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm, të aktiviteteve të nevojshme për adresimin e çdo rekomandimi, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij. 
- masat për ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr. 2/2023 “Për rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023 në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”,  miratimit me urdhrin nr. 70/2023 të planit të veprimit me aktivitete të qarta për zbatimin e rekomandimeve prioritare. Në këto akte udhëzohen masa administrative dhe procedurale për drejtuesit e prokurorive, drejtuesit e seksioneve dhe prokurorët, për të rritur angazhimin proaktiv, koordinimin dhe bashkëpunimin brenda prokurorisë dhe me prokurori të tjera e me institucionet ligjzbatuese, konsolidimin e kapaciteteve dhe menaxhimin efektiv të punës duke prioritizuar veprat penale të rekomanduara për një sistem prokurorie efikas. Fjala e plotë e mbajtur para anëtarëve të Këshillit këtu: