Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm prezanton prioritetet me stafin drejtues të institucionit

 

Prokurori i Përgjithshëm prezanton prioritetet me stafin drejtues të institucionit

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me drejtues dhe prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme. Menjëherë pas marrjes së detyrës, z. Llalla ka parashtruar fillimisht prioritetet e punës së tij gjatë mandatit 5-vjeçar, ku ka vënë theksin në angazhimin e të gjithë punonjësve për të forcuar besimin e publikut tek institucioni i Prokurorisë.
Z. Llalla ka kërkuar nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme që impenjohen maksimalisht në drejtim të kontrollit të brendshëm, me qëllim luftën e fenomeneve antiligjore që mund të shfaqen në institucionin e akuzës.
Gjithashtu, z. Llalla ka theksuar faktin që prokuroria është një institucion i centralizuar dhe kjo duhet mbajtur parasysh nga çdo hallkë dhe strukturë në zyrat qendrore dhe në rrethe.
“I takon Prokurorisë së Përgjithshme që të shpërndajë mesazhe në prokuroritë e rretheve se jemi një strukturë e centralizuar dhe duhet respektuar ky detyrim i rëndësishëm ligjor, i cili do të ndikojë në rritjen cilësore të aktivitetit institucional”, u shpreh Prokurori I Përgjithshëm.
Më tej, z. Llalla theksoi se ndër prioritetet e punës së tij do të jetë promovimi i vlerave më të mira në radhët e prokurorëve, por nga ana tjetër do të tregohet me veprime konkrete, nëpërmjet kontrollit, se nuk do të tolerohen rastet e abuzimit me detyrën. “Përvoja ka dëshmuar se askush nuk është i përjetshëm në pozicione, duke filluar nga Prokurori i Përgjithshëm, duke vijuar tek drejtorët e drejtuesit e prokurorive të rretheve. Mendoj se ka nevojë për një rifreksim dhe veprimet konkrete do të realizohen pasi të jetë diskutuar gjerësisht me të gjitha strukturat, me qëllim rivitalizimin e institucionit të prokurorisë”, përfundoi z. Llalla.