Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim me Ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë për forcimin e bashkëpunimit

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, priti në një takim pune Ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë, z. Adnan Jashari, me të cilin diskutoi mbi nevojën e sistemit të drejtësisë në të dy vendet.

Në Shqipëri dhe Maqedoni po diskutohen kohët e fundit mbi Reformën në Drejtësi dhe, për z. Llalla, është e rëndësishme që vendet e rajonit të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre për forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë.

Z. Jashari, i cili gjendet në Tiranë me ftesë të homologut të tij shqiptar, diskutoi me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë edhe mbi sfidat e përbashkëta në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimin e organizuar ndërkufitar dhe ndërkombëtar.

Dy bashkëbiseduesit theksuan nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, si edhe nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit për hetimin dhe vënies para përgjegjësisë të personave dhe grupeve të përfshira në veprimtari kriminale.