Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim me gazetarë europianë për ecurinë e projekteve të BE

Përfaqësues të medias europianë diskutojnë me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, mbi efektivitetin e programeve të Bashkimit Europian për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe teknologjike

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, deklaroi se bashkëpunimi me strukturat hetimore ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar është rritur ndjeshëm, sidomos gjatë vitit 2014.
Këtë konstatim, z. Llalla e paraqiti gjatë një bashkëbisedimi me një grup gazetarësh europianë, të cilët gjenden në Shqipëri për t’u interesuar lidhur me efektivitetin e projekteve të Bashkimit Europian në drejtim të forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi pozitivisht asistencën që i është dhënë institucionit që ai drejton nga ana e Bashkimit Europian, nëpërmjet projekteve IPA, PAMECA dhe EURALIUS, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e efektivitetit dhe cilësisë së hetimeve nga ana e prokurorisë shqiptare. Gjithashtu, z. Llalla vuri theksin në domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së shkëmbimit të informacionit e operacionet e përbashkëta për grupe kriminale që operojnë në disa shtete njëherësh.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve europianë, z. Llalla u shpreh se “roli i Prokurorisë Shqiptare në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ka qënë i rëndësishëm dhe faktor për rajonin. Vlen për tu përmendur takimi ndërmjet Prokurorëve të Përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Maj 2014 me iniciativë të Prokurorisë Shqiptare, si një arritje shumë e rëndësishme në nivel rajonal. Të gjitha palët shprehën angazhimin e tyre për ngritjen e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore, të cilat janë struktura ndërkufitare, për të koordinuar luftën kundër krimit të organizuar”.

Po ashtu, duke qëndruar në të njëjtin argument, Prokurori i Përgjithshëm prezantoi para trupës mediatike edhe zhvillimet e fundit në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar. “Pak ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë Shqiptare dhe Drejtorisë së Antimafias së Italisë. Kjo marrëveshje zëvendëson një dokument të nënshkruar në vitin 1997 dhe parashikon mekanizma të rinj për luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkombëtar.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, këto ditë ndodhet në Shqipëri Prokurori Federal i Mbretërisë së Belgjikës. Falë këtij bashkëpunimi janë realizuar një sërë operacionesh të rëndësishme dhe janë gioditur disa grupe kriminale.  Nëpërmjet forcimit të këtij bashkëpunimi synohet intensifikimi i punës për goditjen e aseteve kriminale, që konsiderohet dhe instrumenti më efikas në luftën kundër krimit të organizuar. Duke kontribuar në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe arritjeve të sukseshme në raste konkrete, Prokuroria Shqiptare është bërë një partner i besuar i institucioneve homologe në luftën kundër krimit të organizuar”.

Përfaqësuesit e medias së huaj e fokusuan bisedën në disa çështje konkrete, përfshirë edhe rolin e autoriteteve shqiptare në luftën kundër terrorizmit, sidomos rekrutimeve për konfliktet në Lindjen e Mesme. Z. Llalla u shpreh se “Prokuroria Shqiptare ka dhënë një kontribut të veçantë në luftën kundër personave që merren me rekrutimin dhe financimin e shtetasve për përfshirjen në konflikte të armatosura në Lindjen e Mesme. Në mars 2014 u zbuluan dhe u arrestuan një grup personash që ishin të përfshirë në këtë vepër penale. Konstatohet se ka një stepje të këtij aktiviteti në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky angazhim i institucioneve shqiptare është vlerësuar pozitivisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë”.

 

Datë 14.11.2014