Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim zyrtar me homologen e Spanjës

Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, po diskuton me autoritetet e larta hetimore të Spanjës mbi mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit për përballimin e përbashkët të sfidave të kriminalitetit ndërkombëtar.

Z. Llalla gjendet në një vizitë tre-ditore në Madrid, me ftesë të Prokurores së Përgjithshme të Spanjës, znj. Consuelo Madrigal Martinez-Pereda.

Gjatë takimit me homologen spanjolle, z. Llalla prezantoi angazhimin e  Prokurorisë Shqiptare në luftën kundër korrupsioni, pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe krimit ndërkombëtar, si edhe për bashkëpunimin me autoritetet e huaja gjyqësore për goditjen e grupeve kriminale me shtrirje në disa shtete.

Duke vlerësuar bashkëpunimit e deritanishëm me Prokurorinë e Mbretërisë së Spanjës, z. Llalla theksoi domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të komunikimit ndërmjet strukturave hetimore të të dy vendeve, me qëllim goditjen në kohë dhe në mënyrë efikase të grupe kriminale, sidomos të atyre të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike dhe trafikimit të personave.