Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm uron Magjistratët e rinj 2015

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i konsideron si pjesën më cilësore të sistemit të drejtësisë magjistratët e diplomuar në Shkollën e Magjistraturës.

Në ceremoninë e diplomimit të gjyqtarëve të ardhshëm, zhvilluar ditën e Hënë (dt.05.10.2015), z. Llalla risolli në vëmendje se “Shqipëria është përballë sfidës së rëndësishme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Janë pikërisht prokurorët magjistratë, ata të cilët po administrojnë hetimet në këto prioritete kryesore të Prokurorisë, por edhe të shtetit shqiptar në përgjithësi”.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh:
“Diplomimi i magjistratëve të rinj është një moment shumë i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Është e qartë se prurjet nga Shkolla e Magjistraturës përbëjnë produktin më cilësor në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe jemi të bindur se kështu do të vijojë edhe në të ardhmen.
Në sistemin e Prokurorisë Shqiptare, magjistratët gradualisht kanë marrë poste drejtuese në struktura kyçe të institucionit. Formimi akademik pranë Shkollës së Magjistraturës, e ndërthurur me praktikën profesionale ka kontribuuar që magjistratët tashmë të përbëjnë thelbin e zhvillimeve hetimore.

Shqipëria është përballë sfidës së rëndësishme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Janë pikërisht prokurorët magjistratë, ata të cilët po administrojnë hetimet në këto prioritete kryesore të Prokurorisë, por edhe të shtetit shqiptar në përgjithësi.
Ne inkurajojmë formimin profesional sipëror në Shkollën e Magjistraturës, pasi kemi bindjen se falë formimit akademik në këto auditore, Shqipëria do të arrijë të forcojë edhe më tej demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Kjo ceremoni diplomimi në radhë të parë u takon magjistratëve të rinj, të cilët i uroj rrugë të mbarë në detyrën e tyre të rëndësishme.
Gjithashtu, një urim të veçantë përcjell edhe për kandidatët e rinj, të cilët fillojnë vitin e ri akademik.
Për të gjithë studentët e rinj të Shkollës së Magjistratës, tashmë është një etapë e rëndësishme për jetën e tyre personale, si edhe për drejtësinë shqiptare.

Vendi ynë është në fazën e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe baza për rritjen e mëtejshme cilësore do të jenë magjistratët. Duhet të mbahet parasysh nga magjistratët dhe kandidatët e rinj se sistemi i drejtësisë ka nevojë për Ju”.