Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, takon Prokurorin Federal të Gjermanisë, z. Harald Range

Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, z. Adriatik Llalla dhe Prokurori Federal i Gjermanisë, z. Harald Range e konsiderojnë shumë të rëndësishëm bashkëpunimin për evidentimin dhe goditjen e grupeve që merren me rekrutimin e “foreing fighters”, personave që rekrutohen për përfshirje në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme.

Z. Llalla, i cili gjendet në Gjermani me ftesë të homologut të tij z. Range, gjatë bisedës ka vënë theksin në nevojën për bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Në vijim, dy bashkëbiseduesit ndanë qëndrime të njëjta mbi nevojën e komunikimit të shpejtë ndërmjet prokurorisë shqiptare dhe prokurorive të landeve të Gjermanisë, për të rritur efikasitetin në hetimet konkrete.

Duke vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe gjermane, z. Llalla dhe z. Range shprehën vullnetin për të propozuar nënshkrimin e një marrëveshje ndërmjet dy vendeve për transferimin e personave të dënuar nga Shqipëria në Gjermani dhe anasjelltas.

Z. Range iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm për vijimin e asistencës teknike dhe ligjore të autoriteteve gjermane për forcimin e kapaciteteve hetimore në Shqipëri, si edhe për rritjen e pavarësisë së institucionit.