Njoftime për Shtyp

Prokuroria: EURALIUS IV, mundësi për modernizimin e drejtësisë penale

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, e konsideron të rëndësishëm atashimin pranë institucionit të ekspertëve të projektit të Bashkimit Europjan, EURALIUS IV. Objektivi i projektit është forcimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë në Shqipëri


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, vlerëson se projekti EURALIUS IV i Bashkimit Europian është një nismë e rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Në takimin për hapjen e këtij projekti, zhvilluar ditën e Mërkurë (dt. 19.11.2014) në Tiranë, z. Llalla u shpreh se “EURALIUS IV, në bazë të objektivave të prezantuara, do të ndikojë në përmirësimin e hetimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nxitur bashkëpunimin e mëtejshëm ndërinstitucional, bazuar në rekomandimet e Progres Raportit të Bashkimit Europian”.
Në mënyrë integrale, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, u shpreh:

“Prokuroria Shqiptare ka një arsye për t’u ndjerë e privilegjuar në këtë takim. Projekti EURALIUS 4, për herë të parë, do të jetë i atashuar edhe pranë institucionit tonë, me ekspertë që do të ofrojnë asistencë konkrete teknike dhe ligjore.

Kolegët e përmendën edhe më parë dhe në fakt është për t’u theksuar se  Projekti që po fillon sot përkon me një fazë të rëndësishme në të cilën është përfshirë drejtësia shqiptare; reformën e thellë.

Prokuroria shqiptare ka shprehur angazhimin e saj për realizimin e Reformës në Drejtësi. Ajo duhet të fokusohet jo thjesht në ndryshime strukturore, por sidomos në ndërhyrjet e domosdoshme në legjislacionin procedurial.

Në këtë frymë, e vlerësojmë shumë të rëndësishëm atashimin e Projektit EURALIUS 4 pranë Prokurorisë së Përgjithshme, për faktin se synimi dhe objektivi i tij është modernizimi i drejtësisë penale, duke përfshirë kuadrin ligjor penal dhe institucional.
Pra, dukshëm, vizioni i Prokurorisë Shqiptare përkon me prioritetet e Projektit të Bashkimit Europian.

Në planin konkret, EURALIUS do të ndikojë në përmirësimin e hetimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nxitur bashkëpunimin e mëtejshëm ndërinstitucional, bazuar në rekomandimet e Progres Raportit të Bashkimit Europian.
Prokuroria Shqiptare ka bindjen se vijimi i projektit EURALIUS do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e performancës së institucioneve të drejtësisë. Kjo bindje bazohet në rezultatet e projekteve të mëparshme.

EURALIUS 1, 2 dhe 3, në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, kanë ofruar asistencë në përmirësimin e iniciativave të rëndësishme ligjore, përfshirë ligjin për prokurorinë dhe për policinë gjyqësore, ligjin anti-mafia, për bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale, e të tjerë.

Gjithashtu, projektet e mëparshme kanë ofruar asistencë në përmirësimin e organizimit të brendshëm të prokurorisë, si edhe në përmirësimin e kapaciteve profesionale nëpërmjet trajnimeve e vizitave studimore.

Bazuar në përvojën pozitive të mëparshme, prokuroria shqiptare shpreh bindjen se EURALIUS 4 do të ndihmojë maksimalisht në realizimin e pritshmërive të Komisionit Europian për forcimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”.

 

Data 19.11.2014