Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare, pjesë e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për hetimin e pronave të fallsifikuara


Prokuroria Shqiptare është pjesë e një Marrëveshje Bashkëpunimi për hetimin e plotë të fallsifikimit të dokumentave të pronave, së bashku me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Policinë e Shtetit dhe Avokaturën e Shtetit. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, zhvilluar ditën e Shtunë (dt. 29.08.2015) në qytetin e Vlorës, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezantoi angazhimin e institucionit që drejton në kuadër të hetimeve të përbashkëta për këtë çështje problematike, e cila gjatë dy dekadave të fundit ka sjellë jo vetëm pasoja penale, por edhe civile dhe ekonomike.
Në mënyrë integrale, Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, u shpreh:

“Hetimi i fallsifikimit të dokumentave pronësore ka një specifikë të veçantë, pasi bëhet fjalë për një paligjshmëri, e cila është shtrirë në dy dekada dhe që kërkon impenjim të posaçëm.
Ky lloj hetimi ka vështirësitë e tij, për shkak të kohës së gjatë, problematikave ligjore ndër vite dhe amnistive që janë miratuar në kohë të ndryshme nga Kuvendi i Shqipërisë.
Për këtë arsye, institucionet që po nënshkruajnë sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit, do të aplikojnë mekanizmat ligjorë që kanë aktualisht në dispozicion për të vepruar në rikthimin e ligjshmërisë në këtë çështje.

Në kuadër të kësaj Marrëveshjeje, e cila është iniciuar nga Qeveria Shqiptare, Prokuroria merr përsipër që të hetojë deri në fund çdo rast të fallsifikimit të dokumentave të pronave, pavarësisht kohës se kur është kryer vepra penale.
Në çdo rast fallsifikimi të pronave, nga ana e Prokurorisë do të vijojë të ndiqet rruga ligjore për autorët.
Ndërsa, për rastet kur fallsifikimi është kryer vite më parë apo është aministuar me ligj të posaçëm, atëherë Prokuroria do të ndjekë dy rrugë:

Do të zhvillohet hetimi dhe ekspertiza përkatëse e dokumentave të pronësisë kur dyshohet që janë të fallsifikuara. Në rast se vërtetohet i fallsifikimi, atëherë ky konstatim do t’i vihet në dispozicion palëve në procese gjyqësore civile ose Avokaturës së Shtetit, në rastet kur prona e përfituar me dokumenta të fallsifikuar ka qenë publike
Po ashtu, Prokuroria do të vijojë të zhvillojë hetime për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, në rastet kur prona e përfituar në mënyrë të paligjshme është përfshirë në qarkullim civil, pra, kur me të janë kryer transaksione shit-blerjeje, dhënie me qera, etj.

Në kuadër të kësaj Marrëveshjeje, Prokuroria do të angazhojë prokurorë shtesë në ato prokurori, ku kjo problematikë është më e theksuar. Volumin më të madh të problemeve në këtë drejtim e ka qyteti i Vlorës dhe për këtë arsye e vlerësuam që nga ky qytet të përcillnim mesazhin e bashkëpunimit ndërinstitucional për hetimin e fallsifikimit të pronave.
Natyrisht, duhet pranuar se hetimi për këto raste është një sipërmarrje shumë e madhe dhe kërkon burime njerëzore e sidomos mjetet teknike për kryerjen e ekspertizave. Nëpërmjet Marrëveshjes së sotme, Qeveria Shqiptare shpreh vullnetin e saj se do të mbështesë institucionet ligjzbatuese për të kryer hetime të plota dhe të gjithëanshme.

Fallsifikimi i pronave është një paligjshmëri, e cila ka sjellë pasoja të rënda sociale, ekonomike dhe shpesh, edhe penale. Për këtë arsye, Prokuroria Shqiptare shpreh vullnetin e saj të plotë për të ndjekur këto çështje, të cilat janë, jo vetëm një prioritet për t’u përmbushur në rrugën drejt Bashkimit Europian, por sidomos për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë atë që njihet që nga kohët më të lashta-të gëzojnë pronën e tyre.
Po ashtu, vlerësojmë edhe vullnetin e institucioneve të tjera, nënshkruese të kësaj Marrëveshje, bashkëpunimi me të cilat është shumë i rëndësishëm.

Agjencia e Kthimit dhe Komensimit të Pronave dhe Policia e Shtetit kanë mundësinë të sigurojnë informacionin dhe referojnë çdo rast paligjshmërie për çështjen e pronave në Prokurori. Institucioni ynë merr përsipër hetimin e plotë të këtyre rasteve dhe do të investojë edhe Avokaturën e Shtetit për të ndjekur civilisht rastet kur janë tjetërsuar pronat publike.
Pra, në bazë të kësaj Marrëveshje Bashkëpunimi, krijojmë një terren të përshtatshëm për këtë koordinim specifik, i cili është shumë i nevojshëm për kthimin e të drejtës së pronës tek qytetarët, të cilëve u takon”.