Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Elbasanit shpall moskompetencë për “grupin e strukturuar kriminal” përgjegjës për disa ngjarje të rënda – dosja i kalon SPAK

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, mbi bazën e materialit hetimor të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal nr.1599, të vitit 2021, që bën fjalë për veprat penale të parashikuara nga nenet 78 e 25, dhe 278 të Kodit Penal.
Si rezultat i hetimit në kuadër të këtij procedimi, ka dyshime të arsyeshme se personat nën hetim, janë autorë të vrasjes së shtetasit A. S., ngjarje e ndodhur në datë 17.10.2021 në Peqin. 

Gjithashtu, nga hetimet e kryera me metoda speciale të hetimit, dyshohet se keta shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë, janë autorë të disa ngjarjeve të rënda kriminale (vrasje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me dhunë, sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje, etj.) të ndodhura në periudhën kohore 2021-2023 në disa qytete të ndryshme te vendit si Elbasan, Tiranë, Lushnje, Tepelenë, Korçë dhe Durrës, për të cilat ka procedime të regjistruara nga prokuroritë përkatëse të juriksionit të përgjithshëm, procedime që kanë kaluar për kompetence lëndore Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juriksionit të Pergjithshëm Elbasan dhe janë bashkuar në një procedim të vetëm me Nr.1559 të vitit 2021, për veprat penale të parashikuara nga nenet 78 e 25, 78/a e 25, 78 e 22 e 25, 152 e 25, 80 e 25, 139 e 25 dhe 278 të Kodit Penal.

Duke vlerësuar se në rastin konkret janë konsumuar elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 333/a i K.Penal “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 të Kodit Penal, kemi çmuar të ri-vlerësohet çështja e kompetencës lëndore për këtë procedim penal.

Më datë 18.10.2023 është vendosur deklarimi i moskompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.1559 të vitit 2021 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Kalimin e akteve për hetime të mëtejshme prokurorisë kompetente dhe konkretisht Prokurorisë së Posaçme Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Tiranë.