Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme, Konferencë për Ditën e Drejtësisë

Prokuroria e Përgjithshme, Konferencë për Ditën e Drejtësisë


Prokurorët e Përgjithshëm të 20 viteve të fundit, si dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë diskutuan ditën e sotme mbi sfidat e Prokurorisë drejt integrimit evropian.

Konferenca e zhvilluar në kuadër të 100-vjetorit të Drejtësisë në Shqipëri bashkoi për herë të parë drejtuesit e Prokurorisë në një panel studimor, në të cilin u prezantuan dinamika dhe prioritetet drejt forcimit të institucionit në përfaqësimin e akuzës në emër të shtetit në gjykim.

Në fjalën e hapjes, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla u shpreh se ky takim organizohet “në mënyrë që të mblidhen bashkë prokurorët e përgjithshëm në vite, si edhe drejtuesit e sistemit të drejtësisë për të shkëmbyer ide mbi sfidat e institucionit të prokurorisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”.

Duke vijuar më tej, z. Llalla theksoi se “Prokuroria shqiptare, si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë, ka qenë dhe do të vijojë të jetë element kyç në procesin e integrimit. Për këtë arsye, e vlerësojmë me rëndësi jetike forcimin e rolit të institucionit, duke kombinuar arr itjet më të rëndësishme ndër vite me sfidat që gjenden përballë”.

Në takim referuan Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, si edhe disa prej drejtuesve të Prokurorisë në vite.

Z. Zaganjori diskutoi mbi “Rolin dhe përgjegjësitë e prokurorëve në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut”.

Z. Maksim Haxhia, Prokuror i Përgjithshëm në vitin 1992, aktualisht Kryetar i Dhomës së Avokatisë diskutoi mbi “Pozicionin e Prokurorit në shoqërinë civile dhe roli i tij në raport me subjektet e tjera relevante”.

Z. Arben Rakipi, Prokuror i Përgjithshëm në periudhën 1997-2002 referoi temën “Standartet etike për prokurorët-si të sigurohet integriteti drejt një Prokurorie europiane”

Znj. Ina Rama, Prokuror i Përgjithshëm në periudhën 2007-2012 paraqiti disa ide mbi “Garancitë funksionale të prokurorëve”
Gjithashtu, takimi u përshëndet edhe nga z. Alush Dragoshi, Prokuror i Përgjithshëm në periudhën 1992-1996.

 

Data: 07.05.2013