Njoftime për Shtyp

Prokuroria, pjesë e Marrëveshjes ndërinstitucionale kundër informalitetit

Prokuroria e Përgjithshme, së bashku me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Financave, nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi për luftën e përbashkët kundër informalitetit në ekonomi.

Në bazë të kësaj Marrëveshje, nënshkruar ditën e Enjte (dt. 17.09.2015), institucionet rakordojnë angazhimet e tyre për të realizuar formalizimin në tregun ekonomik.
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit, u shpreh:
 “Prokuroria e Përgjithshme e vlerëson nënshkrimin e kësaj Marrëveshje Bashkëpunimi ndërinstitucional, me qëllimin kryesor goditjen e informalitetit në ekonomi.

Prokuroria po përfshihet në këtë marrëveshje mbi bazën e një platformë të mirëpërcaktuar, e cila mbështetet edhe në sipërmarrje të tilla të mëparshme. Rreth dy vjet më parë së bashku me disa institucione të tjera ne ishim pjesë e marrëveshjes për ndëshkimin e paligjshmërive ne tregun energjetik. Në përfundim të shumë hetimeve të kryera rezultoi e provuar se në disa raste qytetarët dhe bizneset që vidhnin energjinë elektrike nuk e realizonin proçesin antiligjor të vetëm, por me mbështetjen e punonjësve publikë që kishin për detyrë të ruanin dhe mirëmbanin rrjetin elektrik si dhe te mblidhnin të ardhurat në favor të shtetit për energjinë elektrike të konsumuar.

Marrja në përgjegjësi penale i shkelësve të ligjit, ndëshkimi i tyre për veprimet antiligjore të kryera, bërja publike e shkeljeve të kryera dhe masave ndëshkuese të marra, ndër të tjera shërbeu edhe si shembull parandalues se kushdo që do të shkelte ligjin do te ndëshkohej për veprimet e kryera.

Edhe në këtë rast, në operacionin ndërinstitucional kundër informalitetit në ekonomi, jemi të qartë se bizneset që kanë kryer apo kryejnë evazion fiskal nuk mund ta realizojnë atë pa mbështetjen e punonjësve tatimorë ose doganorë. Në këtë këndvështrim, për të pasur një sukses sa më të plotë, Prokuroria e sheh rolin e saj në goditjen e veprave penale të kryera si nga ana e biznesit, po ashtu edhe nga zyrtarët publikë që nuk kryejne detyrën për kontrollin dhe mbledhjen e të ardhurave që i takojnë shtetit. Ndëshkimi i tyre dhe bërja publike e shkeljeve të kryera dhe masave ndëshkuese të shërbejë ndër të tjera si masë parandaluese edhe për bizneset e tjerë dhe punonjësit publik që të mos kryejnë veprime antiligjore në te ardhmen pasi do te ndeshkohen në bazë të ligjit. Vetëm në këtë mënyrë do të dëshmojmë barazinë para ligjit për këdo dhe jam i sigurt se këtë bindje ndajnë edhe titullarët e institucioneve te tjera.

Në bazë të Marrëveshjes së sotme, Prokuroria ndër të tjera merr përsipër që të orientojë drejt grupet e verifikimit në terren, për rastet e veprave penale. Gjatë bashkëpunimit në terren, mund të evidentohen raste kur evazioni fiskal prek ekonominë e vendit dhe ku duhet ndërhyrja me forcën e ligjit. Është e rëndësishme të kuptohet se masat penale duhet të jenë në proporcion me shkeljen e kryer. Në këtë mënyrë e ka parashikuar ligjvënësi dhe të gjithë institucionet janë të detyruar të zbatojnë normat e proporcionalitetit.

Institucionet duhet të jenë të qartë se krahas forcimit të ligjshmërisë, duhet të respektojnë edhe të drejtat e njeriut dhe të biznesit.  Si një institucion publik, ne e kemi detyrim që të ushtrojnë funksionet në përmirësimin e jetesës dhe barazisë së qytetarëve. Por nga ana tjetër, Prokuroria shërben edhe si garant për respektimin e ligjit nga ana e zyrtarëve publikë.

Prokuroria e Përgjithshme ka bindje se biznesi është partneri kryesor i shtetit. Këtë bindje duhet ta reflektojmë në veprimtarinë tonë të përditshme, duke bindur me argumenta ligjorë rëndësinë e formalizimit të plotë të ekonomisë. Kjo frymë komunikimi duhet të mbizotërojë gjatë punës së përbashkët kundër informalitetit në ekonomi. Dhe, në rastet kur komunikimi nuk do të jetë frytdhënës, për shkak të bizneseve evazive apo zyrtarë jo korrektë në përmbushjen e detyrës, atëherë institucionet ligjzbatuese do të ndërhyjnë me mekanizmat e duhura ligjor dhe penal”.