Njoftime për Shtyp

Raportim i Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2019 përpara Kuvendit të Shqipërisë18.06.2020

I nderuar Kryetar i Kuvendit, 
Të nderuar Deputetë!

Në zbatim të nenit 104 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” do ju paraqes në vijim një raport përmbledhës nga raportimi vjetor i Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjëndjen e kriminalitetit.

I. Treguesit kryesorë

Gjatë vitit 2019, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 59888  materiale kallëzimi, me një rritje prej 3,73 % në krahasim me vitin 2018. Janë ndjekur gjithsej 44289 procedime penale, nga të cilat 30748 janë procedime të regjistruara, me një ulje prej 2,1 % në krahasim me 2018.  Janë mbartur nga një vit më parë 12957 procedime penale, me një rritje prej 18,66 % krahasuar me procedimet e mbartura nga viti 2017. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 15599 referime dhe kallëzime penale, me një rritje në krahasim me 2018.

Përqindjen më të ulët të kriminalitetit edhe këtë vit e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër ndërsa në qarkun Shkodër vërehet ulje e koefiçentit të kriminalitetit.

Ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë me 31,5 % të numrit të përgjithshëm, por me një ulje rreth 9 % krahasuar me 2018.

Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë 23,85 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, dhe kanë ulje rreth 3 % krahasuar me 2018;

-Gjatë vitit 2019 është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10422 procedime penale me 12189 të pandehur. Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 12288 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal.

 -Për sa i përket ekzekutimeve, është urdhëruar ekzekutimi i 10973 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë, prej të cilëve janë ekzekutuar 7021 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 3952 vendime.

II. Eficenca

-Gjatë vitit 2019 janë përfunduar 28180 çështje që përbën ulje prej 7,49 % të çështjeve  të përfunduara krahasuar me vitin 2018, prej të cilave: 36,89 % janë dërguar për gjykim, 20,66 % janë pushuar, 35,8 % janë pezulluar.

-Janë dërguar dhe përfaqësuar në gjykatën e shkallës së parë 10396  çështje me akuzë ndaj 12158 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2018 rezulton një ulje prej 11,8% e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 9,29 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Gjatë vitit 2019, ështe vendosur pushimi i 5823 çështjeve ose me ulje 12,53 % e çështjeve të pushuara krahasuar me vitin 2018, ndërsa është vendosur pezullimi i hetimeve për 10,088 çështje, tregues ky në ulje në krahasim me vitin 2018.

-Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se janë dënuar 8899 të pandehur dhe për 188 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2018, me ulje 13,1 % e numrit të pandehurve të dënuar dhe ulje 10,9 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm. 

-Sipas të dhënave statistikore urdhrat për ekzekutimin e dënimeve me burgim, gjobë e dënime plotësuese, zënë 41,66 % të totalit ndërsa urdhrat për ekzekutim të dënimeve alternative zënë 58,34 % të totalit.

Gjatë vitit 2019 janë ekzekutuar gjithsej 2714 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 717 procedime penale. Përsa më sipër është mundësuar interceptimi për 5062 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale. Në raport me vitin 2018 janë interceptuar 894 persona më shumë.

i) Efektiviteti i ndjekjes penale sipas grupveprave penale me tendencë në rritje ose në ulje.

Për veprat penale të korrupsionit, të dhënat statistikore  evidentojnë  se raporti i çështjeve të dërguara në gjyq është në përqindje më të ulët se çështjet e pushuara, përkatësisht 34,52% e çështjeve janë dërguar gjyqit dhe 65,48 % e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë, që gjatë kësaj periudhe vërehet edhe ulje prej 9,88 % e numrit të procedimeve të regjistruara, në krahasim me vitin 2018.

Lidhur me krimin e organizuar, të dhënat statistikore tregojnë se ndjekja penale ka qenë eficente, për faktin se çështjet  e dërguara në gjyq janë në përqindje shumë më të lartë se ato të pushuara, përkatësisht 86,67 % të dërguara në gjyq me 13,33 % të pushuara. Në këtë periudhë raportuese, çështjet e regjistruara paraqesin ulje prej 2,1 % krahasuar me vitin 2018.

Për veprat penale të trafiqeve të paligjshme, treguesi i efiktivitetit është relativisht i ulët, përkatësisht 47,46 % dërguar gjyqit dhe 52,54 % të pushuara. Ndërkohë nga të dhënat statistikore rezulton se ka një rritje prej 3,87 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2018.

Sa i përket veprave penale lidhur me narkotikët, edhe pse ka një rritje prej 2,96 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2018, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 62,45 % e çështjeve janë dërguar gjyqit dhe 37,55 % e çështjeve janë pushuar.

Efektiviteti i ndjekjes penale për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në vitet 2015 – 2019 evidenton tregues të ulët të raportit të çështjeve penale të dërguara në gjyq krahasuar me çështjet e pushuara, raport i cili varjon nga 10% deri 20% e çështjeve të dërguara gjyqit, me 80% deri 90% e çështjeve të pushuara. Ndërkohë, në vitin 2019 kjo tendencë është shoqëruar dhe me uljen 12,27 % të procedimeve të regjistruara për veprat penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, krahasuar me vitin 2018.

Për “Krimet kundër jetës të kryera me dashje” ndjekja penale ka qenë efiçente për faktin se janë dërguar për gjykim 81,68 % të çështjeve dhe janë  pushuar 18,32 % çështjeve, e cila ka ndikuar dhe në ulje prej 17,14 % të numrit të procedimeve të regjistruara, krahasuar me vitin 2018.

Efektiviteti i ndjekjes penale ka qenë i lartë edhe lidhur me dhunën në familje, për faktin se 84,33% e çështjeve janë dërguar gjyqit dhe 15,67% e çështjeve janë pushuar. Në të njëjtën periudhë raportuese, çështjet e regjistruara paraqesin rritje prej 24,39 % krahasuar me vitin 2018. Për veprën penale të parashikuar nga neni 130/a të Kodit Penal “Dhuna në familje”, vërehet ulje prej 5,71 % e procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2018, por vlerësojmë se duhet bërë më shumë në aspektin parandalues të saj, duke nisur që me edukimin e shoqërisë në moshë të hershme, ndërgjegjësimin e grupeve vulnerabël për të drejtat e tyre, si dhe lehtësimin e aksesit në institucionet ligjzbatuese dhe në drejtësi. 

iii) Lufta kundër korrupsionit

Sipas të dhënave statistikore për vitin 2019 rezulton se, përqindjen më të lartë në procedimet e regjistruara për veprat penale të korrupsionit, e zë “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e konkretisht 33,5 % të totalit të procedimeve ndërsa është rritur 29,4 % numri i personave të dënuar për gjykim për këtë vepër, krahasuar me 2018.

Në procedimet e dërguara për gjykim, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” është rritur 29,6 % numri i personave të dërguar për gjykim krahasuar me vitin 2018, ndërsa për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”, është rritur 4 herë numri i personave të dërguar për gjykim krahasuar me 2018.


iv) Lufta kundër krimit të organizuar

Gjatë vitit 2019, janë kryer hetime proaktive me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 309 procedimeve për krim të organizuar, trafiqe të paligjshme, narkotikë, pastrim të parave dhe krime të rënda të tjera të lidhura me to, ose me rritje 23.6 përqind krahasuar me vitin 2018. Ky proces i ka shërbyer, si parandalimit apo ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 420 personave.

Referuar treguesve statistikorë, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe vepra penale të tjera të kryera në kuadrin e grupit, rezulton se janë regjistruar 51 procedime penale, ose krahasuar me vitin 2018, me rritje 24.4 % të numrit të procedimeve të regjistruara, rritje 116 % të numrit të procedimeve, dhe mbi 300 % të numrit të personave të dërguar për gjykim për këtë vepër.

v) Sa i përket zbatimit të ligjit nr.10192 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë” krahasur me vitin  2018 ka një rritje 28 % të kërkesave të pranuara nga gjykata për sekuestrime pasurore.

vi) Dekriminalizimi

Lidhur me verifikimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, gjatë vitit 2019, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar 204 praktika/kërkesa për verifikim, ka përfunduar 163 kërkesa  për 15 subjekte të përfshirë në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione Publike” dhe  për 148 subjekte që nuk përfshihen në këtë ligj, si dhe kanë mbetur në proçes verifikimi 41 subjekte/kërkesa mbartur për vitin 2020.


II. Zbatimi i rekomandimeve prioritare

Përveç sa më sipër, prokuroria, është angazhuar në bashkëpunimin veçanërisht me Kuvendin, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme në dhënien e kontributit të saj në iniciativat ligjore për përmirësimin e drejtësisë penale, hartimin e dokumenteve strategjikë kombëtarë dhe raportimeve periodike për përmbushjen e prioriteteve e rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë në kuadër të procesit integrues të vendit.

III. Objektivat

Me synim përmbushjen e misionit kushtetues dhe ligjor të prokurorisë disa nga objektivat prioritare dhe masat e prokurorisë për vitin 2020,do të jenë:

1. Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe rritja e efiçensës në ndjekjen penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, financimit të terrorizmit dhe në hetimet pasurore, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

2. Standartizimi i procedurave të veprimit në pikëpamje administrative dhe procedurale brenda zyrave të prokurorisë në funksion të organizimit të ri kushtetues dhe ligjor, me qëllim funksionimin normal të tyre, duke ruajtur pavarësinë dhe siguruar përgjegjshmërinë e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore.

3. Mirëfunksionimi i zyrave të prokurorisë, përmes monitorimit të punës në drejtim të zbatimit të ligjshmërisë, garantimit të respektimit të pavarësisë së prokurorëve dhe rritjes së përgjegjshmërisë, respektimit të drejtave të subjekteve të procedimit penal.

4. Mirëadministrimi i procesit, që nga faza e regjistrimit të veprës penale dhe deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, me qëllim uljen e kohëzgjatjes së hetimeve dhe optimizimin e produktivitetit.

5. Intensifikimi i bashkërendimit ndërinstitucional me të gjithë aktorët e përfshirë, për të rritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë penale.

6. Ndërmarrja e projekteve për ndërtimin e sistemeve për vlerësimin e efikasitetit të  politikave penale, përmes rikonceptimit të qasjeve institucionale dhe kuadrit ligjor, me qëllim uljen e nivelit të kriminalitetit, reduktimin e kostove të hetimit dhe minimizimin e efekteve sociale.

7. Nxjerrja e rregulloreve dhe udhëzimeve të përgjithshme me natyrë administrative dhe procedurale, me synim qartësimin e kuptimit dhe zbatimit në praktikë të kuadrit ligjor përkatës dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre

Ju faleminderit!