Njoftime për Shtyp

Respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela takon Avokaten e Popullit zj. Erinda Ballanca

Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela zhvilloi një takim me Avokaten e Popullit, znj.Erinda Ballanca. 
Në këtë takim ishte e pranishme edhe zj. Ermonela Ruspi - Komisionere e Seksionit të Veçantë, pranë institucionit të Avokatit të Popullit.

Biseda mes palëve kishte në fokus diskutime mbi gjetjet në lidhje me Prokurorinë, të Raportit të fundit të Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor dhe Poshtërues (CPT); rolit të prokurorëve në trajtimin e rasteve të keqtrajtimit të shtetasve apo tejkalimit të forcës nga punonjësit e Policisë së Shtetit; shtimit të vëmendjes nga ana e prokurorëve për elementë që lidhen me respektimin e të drejtave të shtetasve si gjatë shoqërimit të tyre për në vendet e privimit të lirisë, ashtu edhe të respektimit të procedurave ligjore brenda këtyre ambienteve, apo kushteve të tyre; rastet e vonesave të kthimit të përgjigjeve nga prokurorë të ndryshëm në korespondencat me institucionin e Avokatit ë Popullit, etj.

Nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm u shpreh gatishmëria që për të tilla raste apo problematika të shfaqura, do të kryhen verifikimet përkatëse nga strukturat kompetente në prokurori si dhe do të merren masat konkrete në përputhje me organizimin e prokurorisë. Shqetësimet e ngritura nga Avokati i Popullit do t’u përcillen edhe prokurorive pranë gjykatave të rretheve gjyqësore me synim trajtimin e tyre me prioritet si në planin organizativ nga ana e drejtuesve të prokurorive ashtu edhe në kuadër të hetimeve që kryhen nga prokurorët.

Të dy drejtuesit shprehën pikëpamjen e tyre mbi mënyrat e përmirësimit të mbrojtjes së standardeve të të drejtave të njeriut në vendin tonë, si elementë të rëndësishëm të përafrimit të vendit tonë me familjen europiane.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, jo vetëm nëpërmjet shtimit të takimeve për të diskutuar në lidhje me respektimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve në vendin tonë, por edhe për projekte të përbashkëta, si psh trajnimi i oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve, për çështje që lidhen me drejtëpërdrejt me liritë dhe të drejtat e njeriut.

IMG-20220622-WA0008