Njoftime për Shtyp

Tentuan të kalojnë në mënyrë të paligjshme për në vendet e BE-së 11 shtetas të huaj, Prokuroria Lushnjë dërgon për gjykim tre të pandehurit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka regjistruar në datën 10.06.2022 procedimin penal nr. 353, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal, në emër të shtetasve:

-    A. D., lindur dhe banues në Tiranë.
-    A. B., lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë.
-    R. J., lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Këta tre shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në orët e vona të natës së datës 08.06.2022, në aksin rrugor Lushnjë – Fier, pranë rrethrrotullimit të Savrës, Lushnjë, duke shoqëruar/transportuar me mjete, në bashkëpunim mes tyre, njëmbëdhjetë shtetas të huaj (shtatë pakistanezë dhe katër indianë), për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin e territorit shqiptar për në vendet e Bashkimit Evropian. Pas arrestimit në flagrancë, ndaj tyre është caktuar masë sigurimi “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal. 

Në vijim të hetimeve të çështjes penale, pas administrimit, këqyrjes dhe analizimit të komunikimeve telefonike të tyre, si dhe veprimeve të tjera hetimore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka marrë të pandehur të tre shtetasit e mësipërm  dhe në përfundim të hetimeve ka përgatitur kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale, në ngarkim të tyre, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298 prg. 3 i Kodit Penal, e cila do i përcillet menjëherë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë së bashku me aktet e plota fashikullit. 


Lushnjë, më 23.09.2022.