Njoftime për Shtyp

Z. Adriatik Llalla nis zyrtarisht detyrën si Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë

Sot, më datën 10 dhjetor 2012, në ambientet e Prokurirosë së Përgjithshme u zhvillua ceremonia zyrtare e marrjes së detyrës si Prokuror i Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë të Z. Adriatik Llalla.
Në ceremoninë e zhvilluar ku merrnin pjesë drejtues të Prokurorisë së rretheve gjyqësore, fillimisht e mori fjalën përshëndetëse Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Z. Bardhi Spahija dhe më pas, Znj. Ina Rama duke falenderuar stafin e prokurorëve për punën gjatë mandatit të saj, uroi Prokurorin e Përgjithshëm, Z. Adriatik Llalla, për suksese në detyrën e tij.
Kryeprokurori Adiatik Llalla, në fjalën e tij përpara trupës së prokurorëve dhe medias, u shpreh se e quan një përgjegjësi dhe sfidë të madhe, detyrën që i është besuar, duke deklaruar se do të jetë garant i ligjit. “Gjatë mandatit tim, vijoi më tej Prokurori i Përgjithshëm, Z. Llalla, prioritet e mia do të jenë të motivoj prokurorët që përballen pa kompromis me krimin e korrupsionin, por edhe më tej duke marrë vendime të drejta, të pandikuara nga interesa të caktuara përfshi edhe ato politike. Do jem garant i motivimit të atyre që do punojnë me përkushtim dhe do të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze akuzën në emër të shtetit. Uroj punë të mbarë dhe besoj se së bashku do të vijojmë që prokuroria të ketë standardet e kërkuara në ligj”.

 

Data: 10.12.2012