Njoftime për Shtyp

“Juristët e rinj, kritikë pozitive për zhvillimin e drejtësisë”

“Juristët e rinj, kritikë pozitive për zhvillimin e drejtësisë”

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla u përcjell mesazhe studentëve të Fakultetit të Drejtësisë Tiranë në Konferencën “100 vjet ligje dhe doktrinë”.

 
Të nderuar drejtues të Fakultetit të Drejtësisë,
Të nderuar profesorë dhe kolegë,
Të nderuar të ftuar

Ju falenderoj për ftesën dhe ju shpreh kënaqësinë që më riktheni pranë stafit pedagogjik të fakultetit ku kam kryer studimet.

Në 100-vjetorin e Ditës së Drejtësisë, Fakulteti Juaj meriton vëmendjen më të madhe, pasi pikërisht nga auditorët e tij kanë dalë breza të shkëlqyer juristësh, që kanë ofruar kontributin e tyre maksimal në forcimin e shtetit shqiptar.

Në fakultetin Tuaj gjenden edhe ata të rinj, të cilët do të vijojnë në të ardhmen progresin e vazhdueshëm të vendin tonë drejt integrimit në Evropën e Bashkuar.

Gjatë këtyre ditëve po zhvillohen në institucione të ndryshme aktivitete për të celebruar shekullin e parë të historisë së vërtetë juridike shqiptare. Kjo ditë është edhe një moment reflektimi për rolin që duhet luajmë të gjithë së bashku për konsolidimin e shtetit të së drejtës në vendin tonë.

Juristët, gjyqtarët, prokurët, avokatët, por edhe cilido tjetër që synon të kontribuojë në ecjen përpara të Shqipërisë ka detyrimin ligjor dhe moral që të vendos një gur në ndërtesën e drejtësisë. Është e vërtetë që, pavarësisht arritjeve, problemet ekzistojnë dhe do të jenë gjithmonë të pranishme për aq sa elementët me prirje të kundërligjshme do të sfidojnë rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve.

Për këtë arsye, doja të përcillja mesazhe, së pari brezit të ri të juristëve, që të jenë kritik ndaj sistemit aktual dhe të ofrojnë ide të reja për forcimin e institucioneve të drejtësisë.

Në Prokurorinë e Përgjithshme kanë nisur të promovohen ata prokurorë të rinj, të arsimuar në Shkollën e Magjistraturës dhe në shkollat e avancuara perëndimore. Pra, rruga është e hapur për këdo student që synon me të vërtetë të ecë përpara.

Po e prezantoj këtë prioritet të prokurorisë para trupës së pedagogëve, pikërisht që ky mesazh të përcillet sa më i qartë dhe më i plotë. Besoj dhe shpresoj se edhe studentët do të dinë ta marrin në mënyrë të menjëhershme, pasi Fakulteti i Drejtësisë në çdo kohë ka qenë pararojë e të rinjve që i kanë dhënë impuls zhvillimit të vendit.

Ju faleminderit!

Data: 09.05.2013