Njoftime për Shtyp

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë nis hetimet për procedim pasuror penal për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal

07.10.2021. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë në bazë të ligjit 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, ka regjistruar dhe po kryen hetime për procedimin pasuror penal nr.1, datë 04.10.2021, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit J.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, si dhe pasuritë në emër të të afërmve të tij, konkretisht shtetasit I.S., për të cilin ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë e tij zotërohen në mënyrë të tërthortë nga shtetasi J.S. 

Në funksion të këtij procedimi pasuror, mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë me vendimin nr. 85, datë 07.10.2021, ka vendosur: Marrjen e masës parandaluese me karakter pasuror, e cila konsiston në sekuestrimin e pasurive të luajtshme, konkretisht:

1.    Sekuestrimin e shumës monetare prej 70 060 (shtatëdhjetëmijë e gjashtëdhjetë) Euro (të depozituara në ruajtje në Bankën ***). 
2.    Sekuestrimin e pasurisë së luajtshme automjet tip “Porsche Cayanne” me targa AA *** *T. 

Në zbatim të vendimit gjyqësor dhe nenit 14 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar,  është nxjerrë nga prokurori urdhri i ekzekutimit, i cili u është dërguar për ekzekutim/zbatim shërbimeve e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, Tiranë, bankës së nivelit të dytë “*** Bank” dhe Drejtorisë Shërbimit të Transportit Rrugor.