Njoftime për Shtyp

Adriatik Llalla: Transparenca, baza e forcimit të shtetit ligjor

 

Adriatik Llalla: Transparenca, baza e forcimit të shtetit ligjor

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në aktivitetin e “Promovimit të Bazës së të Dhënave të Vendimeve të Gjykatës së Lartë”, organizuar nga Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me USAID-in

E nderuar Drejtoreshë e Shkollës së Magjistraturës
I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë
I nderuar Ministër i Drejtësisë,
I nderuar z. Ambasador Arvizu
Të nderuar kolegë,

Pasi mora ftesën e Shkollës së Magjistraturës për promovimin e bazës së të dhënave të vendimeve të Gjykatës së Lartë ndër vite, u bëra kurioz të shihja se si funksiononte dhe materialin që gjendej në të.

Realisht, u befasova, pasi kërkimi elektronik evidentoi disa çështje të shqyrtuara në shkallën më të lartë të gjyqësorit, të cilat i kam ndjekur personalisht kohë më parë në shkallën e parë, detajet e të cilave më janë zbehur nga pesha e kohës e volumi i punës në vite.

Dua të shpreh vlerësimin tim personal dhe të institucionit që përfaqësoj për këtë projekt, i cili luan rol parësor në krijimin e historikut të vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe nga ana tjetër, ajo që e vlerësoj shumë të rëndësishëm; forcimin e transparencës së sistemit gjyqësor përballë opinionit publik.

Ligjërisht, institucionet e drejtësisë shprehen vetëm nëpërmjet vendimeve të tyre dhe kjo ka krijuar perceptimin se janë hermetikë përballë qytetarëve. Natyrisht, kjo nuk është e vërtetë, pasi Kushtetuta e Shqipërisë e ka të parashikuar qartë se proceset gjyqësore janë të hapura për publikun. Kjo përbën edhe një vlerë të shtuar në ruajtjen e garancive dhe të drejtave të individëve përballë institucioneve publike.

Për të ndryshuar perceptimin e hermetizimit të institucioneve, vetë sistemi i drejtësisë duhet të jetë më i angazhuar. Dhe, natyrisht, baza e të dhënave që po prezantohet sot është një sinjal pozitiv në këtë drejtim. Por nuk është i vetmi. Tashmë edhe gjykatat e rretheve gjyqësore kryesore po aplikojnë sistemet e të dhënave të dixhitalizuara për seancat gjyqësore, gjë e cila ka ndikuar në rritjen progresive të transparencës.

Prokuroria e Përgjithshme, nga ana e saj, është në fazën e fundit të implementimit të sistemit të të të dhënave elektronike. Brenda pak muajsh ky program do të aplikohet në disa prokurori dhe besojmë se deri në fund të vitit 2013 do të jetë funksional në të gjithë hallkat e institucionit.
Projekti që do të përdoret në Prokurori, ofron së paku dy elementë shumë të rëndësishëm:

- Së pari, rrit transparencën e institucionit
- Së dyti, rrit në maksimum angazhimin e prokurorëve të çdo niveli të zbatojnë me korrektesë maksimale ligji. Pasi, nëpërmjet sistemit elektronik, çdo vendimmarrje nga ana e prokurorëve do t’i nënshtrohet në çdo kohë kontrollit nga strukturat e specializuara në Prokurorinë e Përgjithshme.

Këto dy aspekte, të cituara më sipër kanë të vetmin qëllim madhor; forcimin e besimit të publikut ndaj institucionit të Prokurorisë.

Qytetarët kërkojnë drejtësi dhe kjo është ajo që ne jemi të prirur të realizojmë. Vetëm nëpërmjet transparencës maksimale do të jemi në gjendje që të përmbushim këtë kërkesë të drejtë të publikut.

Ju faleminderit!