Njoftime për Shtyp

Bashkëpunim mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shoqatës Ibero-Amerikane të Zyrave të Prokurorive të Përgjithshme

Tiranë 30 Mars 2022. Nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar ishte në qendër të takimit që Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela zhvilloi sot me delegacionin e projektit të BE-së EU4FOCAL në përbërje të të cilit ishin përfaqësues të Sekretariatit të Përgjithshëm të Shoqatës Ibero-Amerikane të Zyrave të Prokurorive të Përgjithshme, Sekretariatit të Përgjithshëm të Rrjetit Gjyqësor Europian (EJN) dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Mbretërisë së Spanjës. 

Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës Ibero-Amerikane të Zyrave të Prokurorive të Përgjithshme znj. Rosa Ana Morán e njohu Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë me veprimtarinë e kësaj organizate dhe e ftoi Prokurorinë e Përgjithshme të bëhet pjesë e këtij rrjeti ndërkombëtar me synim rritjen e shkëmbimit të informacionit dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me vendet e përfshira në këtë rrjet. 

Ky takim u organizua pas seminarit të zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në seminar u diskutua mbi rëndësinë e rrjeteve gjyqësore për bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale, dhe praktikat më të mira europiane të përcjella nga ekspertët e projektit EU4FOCAL, i cili po mbështet Prokurorinë e Përgjithshme duke ofruar asistencë teknike mbi standartet evropiane.

IMG 5203