Njoftime për Shtyp

Bashkëpunim ndërinstitucional mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit, për përmirësimin e procedurave të referimit të veprave penale

Bashkëpunim ndërinstitucional mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit, për përmirësimin e procedurave të referimit të veprave penale 

Tiranë, 30 shtator 2020. Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Ardi Veliu nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, me synim përmirësimin e koordinimit në trajtimin e materialeve kallëzuese që lidhen kryesisht me viktimat akuzuese.

Përmes këtij memorandumi të dy institucionet angazhohen të bashkëpunojnë për të përmirësuar procedurat e trajtimit të kallëzimeve, objekt i këtij Memorandumi.

Marrëveshja vjen pas konstatimit të një sërë problemesh të hasura në zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, mbi viktimën akuzuese dhe në referimet e tjera të Policisë Gjyqësore, që nuk përmbajnë elementë të veprave penale.

Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit do të koordinojnë veprimtarinë e tyre përmes nxjerrjes së udhëzimeve që do të shmangin zvarritjet që shkakton praktika e deritanishme në trajtimin e çështjeve.

Marrëveshja përcakton instrumente të posaçme që do të sjellin uljen e numrit të referimeve të dërguara nga Policia në prokurori, për disa vepra penale, për të cilat Kodi i Procedurës Penale parashikon të drejtën e viktimës për t’iu drejtuar drejtpërdrejt gjykatës.
Kjo do të rrisë efiçencën e punës në të dy institucionet dhe do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për qytetarët.

foto1

foto2

foto3

foto5