Njoftime për Shtyp

Masë disiplinore “ulje në detyrë” për prokurorin e Prokurorisë Kurbin, Arben Nika

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka pranuar propozimin e Këshillit të Prokurorisë për uljen në detyrë për Prokurorin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, Arben Nika, dhe ka vendosur masën “kalim në detyrën e oficerit të policisë gjyqësore” për një periudhë 1-vjeçare, pasi me mosveprimet e tij ka kryer shkelje disiplinore në formën e zvarritjes sistematike të hetimeve dhe mospërmbushjeve të detyrave

Në bazë të aktit të kontrollit të hartuar nga ana e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se prokurori Arben Nika nuk u ka dhënë zgjidhje ligjore materialeve kallzuese që i janë caktuar për ndjekje, sipas afatit të parashikuar në udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm nr. 241 dt. 21.11.2005 (i ndryshuar) dhe nr. 3 dt.10.06.2012. Ndërsa, për disa materiale kallëzuese, nuk ka vendosur regjistrimin e procedimit penal ne përmbushje të detyrimit që rrjedh nga neni 287 i K.Pr.Penale.

Mosveprimet e  prokurorit Arben Nika në ushtrimin e funksionit të prokurorit, në bazë të Ligjit Nr. 8737, datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimn e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, përbëjnë shkelje të disiplinës në punë në formën e zvarritjeve sistematike të hetimeve dhe mospërmbushjes së detyrave,  parashikuar nga neni 32, gërma “b” e ligjit të sipërcituar.