Njoftime për Shtyp

Nënshkruhet Marrëveshjes Bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Shqiptare dhe Prokurorisë së Bosnje Hercegovinës

Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë dhe Prokuroria e Përgjithshme e Bosnje-Hercegovinës shprehin dakordësinë e plotë për të bashkëpunuar së bashku në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar e transnacional, krimit ekonomik dhe korrupsionit, përdorimit të paligjshëm të aseteve kriminale, terrorizmit ndërkombëtar dhe krimeve në lidhje me të, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit dhe vlerave të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar.

Për të formalizuar vullnetin dypalësh, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, priti në Tiranë të hënën (dt. 12.10.2015) homologun e tij nga Bosnje-Hercegovina, z. Goran Salihoviç dhe ndërmjet dy titullarëve u nënshkrua Marrëveshje Bashkëpunimi.

Dokumenti i përbashkët u nënshkrua në përputhje me parimet e Konventës Evropiane për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale të vitit 1959, si edhe Protokollet Shtesë të saj.

Në bazë të Marrëveshjes, dy palët afirmojnë angazhimin për forcimin e bashkëpunimit ekzistues në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Marrëveshjeve ekzistuese dypalëshe dhe shumëpalëshe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës,

Në takimin zyrtar, i cili i parapriu nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit, z. Llalla dhe z. Salihoviç theksuan nevojën e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy institucioneve homologe, si edhe domosdoshmërinë e forcimit të sundimit të ligjit,  në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.