Njoftime për Shtyp

Nënshkruhet marrëveshja “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela nënshkroi ditën e sotme një marrëveshje bashkëpunimi me Ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe Ministrin e Brendshëm, Bledar Çuçi “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”.

Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi se marrëveshja dëshmon për qasjen e re të prokurorisë në drejtim të prioriteve të luftës ndaj krimit ku përfshihet tashmë edhe trafikimi i pasurive kulturore. Ai theksoi rëndësinë e saj në drejtim të forcimit të ndërveprimit institucional, i cili do të rrisë efikasitetin e punës së institucioneve. Me vlerë do të jetë gjithashtu edhe forcimi i kapaciteteve të agjensive ligjzbatuese përmes trajnimeve në këtë fushë.

Marrëveshja përcakton qartë mënyrat e bashkëpunimit mes palëve për gjurmimin, kapjen, sekuestrimin, magazinimin dhe ruajtjen e specializuar të objekteve të dyshuara “pasuri kulturore”, nga momenti i sekuestrimit të tyre e deri në përfundim të hetimeve paraprake.

Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj, angazhohet me këtë marrëveshje, të nxjerrë të gjitha udhëzimet e duhura për rritjen e efiçencës në hetimin dhe ndjekjen penale të vjedhjes dhe trafikimit të objekteve pasuri trashëgimi kulturore dhe mënyrën e administrimit të tyre.

foto 1

foto 2