Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm: EURALIUS, kontributi në drejtësinë shqiptare.

Fjala përshëndetëse në Ceremoninë e Mbylljes së projektit “Konsolidimi i sistemit shqiptar të drejtësisë”

Të nderuar kolegë,

Në Dhjetor 2012, pjesëmarrjen e parë zyrtare si Prokuror i Përgjithshëm e kam realizuar në një aktivitet të EURALIUS-it.

Realisht, ishte diçka pozitive prezantimi në atë aktivitet, pasi angazhimi i ekspertëve të këtij misioni për prokurorinë ishte frytdhënës.

Tani që EURALIUS përmbyll projektin e tij në Shqipëri konstatojmë me kënaqësi se shumë prej objektivave të tij në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë janë realizuar.

Natyrisht, ajo që vlen më shumë për t’u përmendur është asistenca e ofruar për përmirësimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Këto ndryshime, të cilat u finalizuan në Kuvendin e Shqipërisë, kanë forcuar rolin e organit të Prokurorisë në luftën kundër krimit. Tashmë normat ligjore të përforcuara pritet të dëshmojnë forcën reale të institucioneve të drejtësisë. Gjithashtu, amendimet e fundit në legjislacionin penal kanë shërbyer për të qartësuar normat ligjore, të cilat përbëjnë një ndihmesë të madhe në aktivitetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në zbatim të dispozitave të forcuara, organi i Prokurorisë ka hartuar prioritetet e tij. Trupa e prokurorëve është udhëzuar të ndjekë një politikë penale të ashpër, duke synuar dënime maksimale për krime që kanë ndikim në opinionin publik. Në vëmendje janë veprat penale kundër të miturve, gjakmarrja, krimi në familje apo ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kryesisht në fushën e sigurisë publike.

Gjithashtu, ajo që synohet në vijim është rritja cilësore e hetimit proaktiv, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucione të tjera. Në këtë drejtim është përfituar edhe nga asistenca e ekspertëve të EURALIUS-it, të cilët janë angazhuar për realizimin e takimeve të përbashkëta ndërinstitucionale.
Prokuroria shqiptare konstaton me kënaqësi se bashkëpunimi ndërmjet agjencive, shqiptare dhe të huaja, po shënon arritje pozitive.

Në planin kombëtar, është arritur që disa krime të rënda të zbulohen brenda një kohe të shkurtër dhe autorët e dyshuar të dërgohen para drejtësisë. Ndërkohë, po punohet intensivisht edhe në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Disa hetime janë në zhvillim dhe pritet të finalizohen me sukses.

Po ashtu, në planin ndërkombëtar, është arritur të zhvillohen me sukses disa aksione të gjera, me shumë persona të përfshirë në organizata kriminale.
Krahas forcimit të institucioneve shqiptare, kjo natyrisht është edhe rrjedhojë e asistencës teknike të ofruara nga projekti EURALIUS, të cilin e falenderojmë sot për kontributin në ndihmesë të institucioneve shqiptare.

Ju faleminderit sërish!

Data: 13.05.2013