Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela takon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në fokus rritja e kapaciteteve profesionale të strukturave të hetimit

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela zhvilloi ditën e sotme një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. 

Në fokus të takimit ishte forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe strukturave të Policisë së Shtetit. 

Nga të dy drejtuesit e institucioneve, u vlerësua pozitivisht niveli i deritanishëm i ndërveprimit institucional në fazën hetimore, ndërkohë që do të ndërmerren hapa konkretë për rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave të hetimit. 

Në këtë kuadër, po shqyrtohen mundësitë për bashkërendimin e masave që do të rrisin efikasitetin dhe efektivitetin e hetimit për një sërë veprash penale. 

Në takim u ra dakord për rëndësinë e harmonizimit të prioriteteve në funksion të mirëadministrimit dhe përdorimit efikas të burimeve njerëzore e teknike, duke synuar rritjen e impaktit të forcës goditëse të organeve ligjzbatuese ndaj fenomeneve kriminale që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.