Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm përshëndet Konferencën Gjyqësore Kombëtare

Të nderuar gjyqtarë! Në emër të Prokurorisë Shqiptare shpreh vlerësimet pozitive punën tuaj dhe për mbështetjen që i jepni në vazhdimësi punës sonë.

 
Gjykata dhe Prokuroria së bashku përbëjnë sistemin e drejtësisë, pushtetin që tashmë është në fazën e diskutimit për tu reformuar.
Mendoj se ndaj të njëjtën bindje me ju se sistemi i drejtësisë në vend ka nevojë për reformim, në bazë të të cilit të forcohet më tej pavarësia, integriteti dhe profesionalizmi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duke forcuar këtë shtyllë të shtetit ligjor, në mënyrë të drejtëpërdrejtë fuqizohen edhe më tej pushtetet e tjera.

Por, ajo që po konstatojmë jo pa shqetësim është fakti se nevoja për reforimimin e sistemit të drejtësisë po shoqërohet me një fjalor publik negativ ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga shumë aktorë publikë si dhe ekspertë vendas e të huaj.
Në çdo paraqitje publike, ku diskutohet për Reformën në Drejtësi, prezantohet perceptimi se sistemi i drejtësisë dhe korrupsioni janë një gjë e vetme.

Në fakt, sistemi i drejtësisë, si çdo hallkë tjetër shtetërore në Shqipëri, nuk është e imunizuar nga korrupsioni. Disa raste të kohëve të fundit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vënë nën akuzë janë dëshmi konkrete se korrupsioni është prezent dhe në sistemin e drejtësisë. Por përgjithësimi i këtyre rasteve është tërësisht i pavend. Janë po prokurorët e gjyqtarët shqiptarë që kanë hetuar e gjykuar kolegët e tyre. Siç janë po këta gjyqtarë e prokurorë që kanë hetuar e vendosur në masa sigurie deputetë për akuza shumë më të rënda penale, përfshirë vrasje, shfrytëzim prostitucioni, armëmbajtje pa leje, etj.

Janë po këta gjyqtarë e prokurorë që po hetojnë e gjykojnë zyrtarë të niveleve të ndryshme të akuzuar për korrupsion, të përfshirë në konçensione, tendera, abuzime me detyrën me dëme ndaj shtetit në vlera miliona euro, duke mos përjashtuar nga vëmendja edhe raste të shpërdorimit të detyrës thuajse në çdo nivel administrativ.
Ne e dimë që kemi shumë për të përmirësuar brenda vetes, pasi duhet t’i shërbejmë maksimalisht qytetarëve. Ne e vlerësojmë angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë për realizimin e Reformës në Drejtësi. Gjithashtu, ne duhet të besojmë në atë që kemi arritur deri më sot, falë edhe mbështetjes së aleatëve perëndimorë.

Rreth 25 vjet më parë, populli shqiptar theu zinxhirët e vetë-izolimit. Izolim i cili ishte imponuar nga drejtuesit politikë të kohës, pavarësisht tentativave dhe dëshirës së plotë të komunitetit ndërkombëtar për të na pranuar në bashkësinë e tyre demokratike, në themel të të cilave ishte dhe është respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Fryma e demokracive perëndimore, për t’u bërë pjesë e bashkësisë së tyre të madhe është përmbushja e kushteve të tyre, si forcimi i shtetit ligjor, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, etj.
Unë jam i bindur, ashtu si kushdo tjetër në këtë sallë dhe jashtë saj, që Shqipëria do të ngrihet në lartësinë e duhur për të bindur Bashkimin Europian të hapë dyert edhe për ne.

Gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë duhet të japin kontributin e tyre. Të gjithë duhet të ofrojnë ekspertizën e tyre për të forcuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Një kolegu Juaj, në një botim të tijin, shprehet se : “vendet në tranzicion janë ato në të cilat politika ndikon mbi drejtësinë”.

Është një aksiomë e vërtetë, brenda së cilës gjendet edhe zgjidhja. Tranzicioni përfundon kur politika të qëndrojë larg sistemit të drejtësisë. Duhet të angazhohemi të gjithë bashkë që Reforma në Drejtësi të orientohet në këtë drejtim.