Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm takon Ambasadorin e OSBE në Tiranë, z. Wolfarth

 
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, u takua sot me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Biseda e përqendrua në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në rolin thelbësor të Prokurorisë së Përgjithshme në forcimin e shtetit të së drejtës.

Prokurori i Përgjithshëm i prezantoi Ambasadorit të OSBE disa nga prioritetet gjatë mandatit të tij, ku theksin kryesor e vuri te forcimi i mëtejshëm i masave kundër korrupsionit. Gjithashtu, z. Llalla, duke falenderuar mbështetjen që OSBE ka ofruar në vazhdimësi për Prokurorinë shqiptare, ka theksuar se do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë, me qëllim forcimin e kapaciteteve ligjore të organit të Prokurorisë.

Ambasadori Wolfarth, u shpreh gjatë takimit se “Lufta kundër krimit të organizuar, përfshirë krimin ndërkufitar, si edhe kundër korrupsionit, është parësore në sigurimin e stabilitetit në vend, në rajon dhe në nivel global”.  “Dhënia e vendimeve të mirëarsyetuara e të përshtatshme, në rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, do të ishte një masë pozitive të dëshmuar vendosmëri politike dhe për të kthyer besimin e publikut te gjyqësori”.

Wollfarth e siguroi Llallën se Prezenca e OSBE-së, në kuadër të qëllimit të saj kryesor për të promovuar shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe për të konsoliduar institucionet demokratike, do të vijojë ta mbështesë dhe ndihmojë Prokurorinë e Përgjithshme.

 

Data 06.02.2013