Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare njihet me Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2015

Prokuroria Shqiptare konstaton se prioritetet e saj përputhen me Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2015.

Në një takim të posaçëm të organizuar nga Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla ditën e Premte (dt.22.05.2015), drejtuesit e Prokurorive lokale dhe të Prokurorisë së Përgjithshme u njohën me synimet e Qeverisë Shqiptare, të prezantuara nga ana e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço.
Ministri i Drejtësisë u shpreh se “në mbështetje të 5 prioriteteve për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, objektivat bazë për sistemin e drejtësisë përfshihen tek:

- Forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë
- Lufta kundër korrupsionit
- Lufta kundër krimit të organizuar
- Respektimi i të drejtave të njeriut
- Bashkëpunimi ndërinstitucional.

Pas prezantimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në mënyrë më të thelluar nga ana e z. Naço, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se “këto objektiva janë të njëjtë me ato mbi të cilat po vijon prej disa kohësh të veprojë Prokuroria Shqiptare” dhe se kjo “është një dëshmi e qartë se pushtetet në Shqipëri janë të orientuara së bashku në rrugën drejt integrimit europian”.

Duke vijuar më tej, z. Llalla theksoi se “Prokuroria Shqiptare në vijimësi i ka marrë në konsideratë sugjerimet e Këshillit të Ministrave, duke i kombinuar ato me politikën penale që ndjek prokuroria dhe, gjithnjë, bazuar në ligjin penal dhe proçedurial penal”.
Duke folur para drejtuesve të prokurorive lokale, Prokurori i Përgjithshëm shtoi më tej, se: “Besoj se jeni në dijeni të qëndrimit të Ministrit të Drejtësisë para Komisionit të Ligjeve vetëm pak ditë më parë, ku ndër të tjera, adresoi edhe disa kritika për institucionin tonë, mbështetur në konkluzionet e disa inspektimeve të zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë gjatë vitit të kaluar.

Në fakt, është shumë e rëndësishme që kritikat e partnerëve vendas dhe ndërkombëtarë të vlerësohen maksimalisht nga të gjithë nivelet drejtuese në organin e prokurorisë.
Për më tepër, që këto kritika mbërrijnë nga një ish-prokuror, i cili e njeh institucionin tonë dhe që qëndrimet e tij natyrisht janë në drejtim të përmirësimit të punës sonë.

Nga ana tjetër, në emrin Tuaj, dëshiroj të falenderoj Ministrin e Drejtësisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë institucionit të Prokurorisë në forcimin e kapaciteteve institucionale”.
Këshilli i Ministrave, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë, i përcjell Prokurorisë rekomandimet e tij për luftën kundër kriminalitetit, në përputhje me nenin 54/1 të ligjit nr. 8737, dt. 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.