Njoftime për Shtyp

Prokuroria Tiranë sekuestron pasuritë e shtetasit E.B., të dyshuara se rrjedhin nga përfshirja në veprimtari kriminale

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë sekuestroi pasuritë e shtetasit E.B., dhe familjarëve të tij pasi dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale. Shtetasi E.B., është dënuar në Itali me 21 vite burgim për veprën penale të “Trafikimit të drogës”.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurive të shtetasit E.B., dhe familjarëve të tij, rezulton se ato nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike. Dyshimet mbi precedentët kriminalë të këtij shtetasi, kryerja e shumë transaksioneve në shitjen e pasurive të paluajtshme, krijojnë bindjen se janë investuar në ndërtimin e objekteve tw cilat janë në proces legalizimi.

Konkretisht, Prokuroria Tiranë sekuestroi pasuritë e mëposhtme:

- Pasuria e poseduar nga shtetasi E. B., në qarkun Vlorë, njësia Delvinë adresa Vane, ndërtim pa leje aplikuar për legalizim;

- Pasuria e poseduar nga shtetësja F.B., në qarkun Vlorë, njësia Vergo, adresa Vane, ndërtim pa leje, aplikuar për legalizim;

- Subjektin me nr. (NUIS) L871…, EMIL-2018, me administrator shtetasin E.B.; si dhe 

- Asete të deklaruara të këtij subjekti: një kamion dhe një rimorkio.

Të gjitha këto pasuri të paluajtshme dyshohet se janë fituar nga personi i hetuar E. B., si rezultat i përfshirjes së tij në aktivitetin e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Itali ku ka marrë edhe dënimin përkatës.