Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme dërgon për gjykim kërkesën ndaj ish-ministrit të Arsimit dhe deputetit, Myqerem Tafaj

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim në Gjykatën e Lartë kërkesën ndaj ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Në përfundim të veprimeve hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 4, viti 2015, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundim se, i pandehuri ka vendosur hapjen e programeve mësimore të një shkolle të lartë private, aktualisht e mbyllur, në kundërshtim me atë që ka vendosur Këshilli i Akreditimit. Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtëpërdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim NEGATIV), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyre të kundraligjshme.

Veprimet e kryera nga ana e të pandehurit Myqerem Tafaj kanë sjellë për rrjedhojë hapjen e programeve mesimore, të cilat nuk janë në përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore, për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë.

Për Prokurorinë e Përgjithshme, me veprimet e kryera, i pandehuri Myqerem Tafaj, në cilësinë e ish-Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, ka sjellë si pasojë krijimin e mundësisë së subjektit privat “Shkolla e Lartë Private Vitrina”, që, pavarësisht se nuk plotësonte standartet e parashikuara nga ligji, të zgjerojë aktivitetin në fushën e arsimit dhe të ofrojë programe jo cilësore studimi, me pasoja financiare për individët dhe për shtetin, si garant i standarteve të larta mësimore, si edhe duke i krijuar favore të pa merituara institucionit arsimor në fjalë.