Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Tiranës akuzon biznesmenin Rezart Taçi për “mospagim të detyrimeve tatimore”

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe akuzon shtetasin Rezart Taçi, ish-administrator i kompanisë së naftës “Armo” për veprën penale të “Mospagimit të detyrimeve tatimore” në vlerën 1 miliard lekë të reja, detyrime të shtrira në harkun kohor 2009-2013.

Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, pas hetimeve të nisura në bazë të materialit të referuar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, arrin në konkluzionin se shtetasi Taçi, në cilësinë e administratorit dhe aksionerit të “ARMO” sh.p.k, ka pasur aftësi paguese për shumat që i detyrohej administratës shtetërore, por në mënyrë të qëllimtë i është shmangur derdhjes së detyrimeve, duke transferuar shuma të konsiderueshme në kompani ose duke bërë tërheqje “cash” në llogari të tij.

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës provoi se i pandehuri, i detyrohet shumën e mësipërme dy komponentëve të administratës publike; Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për detyrimet tatimore si subjekt i konsideruar “VIP” dhe Bashkisë Ballsh e komunës Qendër, Mallakastër, për taksat vendore, si vendushtrimi i aktivitetit të “ARMO”-s.

Gjatë viteve 2009-2013, periudhë e cila është përfshirë në hetim, subjekti “ARMO” është njoftuar për detyrimet tatimore në shumat përkatëse dhe ka marrë dijeni administratori Taçi, i cili ka negociuar disa herë, si me adminsitratës tatimore, ashtu edhe me njësitë e qeverisjes vendore.

Si nga ana e administratës tatimore, ashtu edhe nga ana e njësive të qeverisjes vendore, janë nxjerrë disa urdhëra bllokimi për llogaritë e “ARMO”-s, me qëllim detyrimin e kompanisë për të realizuar pagesat. Por, këto urdhëra bllokimi janë shfuqizuar, në bazë të kërkesave për negociim që kërkonte i pandehuri Taçi për të shlyer detyrimet me këste.

Në bazë të këtyre negociatave, kompania “ARMO” ka bërë disa pagesa në vitet 2010-2012, por nuk ka likujduar të gjitha detyrimet financiare, duke pretenduar se nuk ka pasur aftësi paguese. Por, nga hetimi ka rezultuar se në të njëjtën periudhë kohore kur deklaronte se nuk kishte mundësi financiare, i pandehuri Rezart Taçi i ka dhënë hua kompanisë tjetër të tij “Taçi oil”, si edhe ka tërhequr shuma financiare në vlera të ndryshme. Totali i dhënies hua kompanisë “Taçi oil” dhe tërheqjet “cash” që ka bërë për llogari të tij i pandehuri, e tejkalojnë shumë e detyrimit që “ARMO” sh.p.k kishte ndaj shtetit.

Në këtë mënyrë, me dashje, i pandehuri Rezart Taçi i është shmangur detyrimeve tatimore dhe taksave vendore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Mospagim i detyrimeve tatimore”, në vlerën e 1 miliard lekëve të reja.