Njoftime për Shtyp

Prokurorja e Përgjithshme e Kroacisë Znj. Zlata Hrvoj-Šipek viziton Shqipërinë me ftesë të Prokurorit të Përgjithshëm Z. Olsian Çela

Me ftesë të Prokurorit të Përgjithshëm Z. Olsian Çela, Prokurorja e Përgjithshme e Kroacisë Znj. Zlata Hrvoj-Šipek, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, e shoqëruar nga Znj. Snježana Frković, Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme si dhe Z. Tonći Petković, Zëvendës Prokuror i Shtetit në Zagreb. 

Në qendër të takimit mes palëve, ishte bashkëpunimi mes dy prokurorive në luftën ndaj kriminalitetit, me fokus të veçantë ndaj krimit kibernetik dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. 
Dy prokuroritë kanë nënshkruar në vitin 2007 një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në luftën kundër krimit transnacional dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. 

Të dhënat tregojnë për një nivel të lartë të dhënies së ndihmës juridike në fushën penale mes dy vendeve, ku vetëm në 3 vitet e fundit janë dërguar reciprokisht 48 letërporosi dhe janë kryer 4 ekstradime. 
Gjatë vizitës zyrtare, Prokurorja e Përgjithshme e Kroacisë dhe delegacioni që e shoqëronte, zhvilluan takime edhe me Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Z. Alfred Balla si dhe Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Z. Altin Dumani.