Njoftime për Shtyp

Qeveria franceze, vijim mbështetjes së Prokurorisë Shqiptare për antitrafiqet, korrupsionin dhe pastrimin e parave

Qeveria franceze shpreh gatishmërinë për të vijuar mbështetjen e Prokurorisë Shqiptare në forcimin e kapaciteteve institucionale për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ky mesazh iu përcoll Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, nga ana e Ambasadorit të Republikës së Francës në Tiranë, z. Bernard Fitoussi, gjatë një takimi të zhvilluar paraditen e së Hënës (dt. 20.04.2015).

Z. Llalla vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e institucionit që drejton me autoritetet gjyqësore të vendeve të Bashkimit Europian, ndër të cilët një vend kryesor ka Franca, për të forcuar më tej luftën kundër trafiqeve të drogave të ndryshme dhe pastrimit të parave. Nga raporte të ndryshme zyrtare, në Francë veprojnë grupe të ndryshme kriminale që operojnë në fushën e trafiqeve dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, në përbërje të të cilave ka edhe shtetas shqiptarë, që synojnë të pastrojnë para në Shqipëri. Për këtë arsye, për Prokurorin e Përgjithshëm, z. Llalla, rritja e nivelit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit do të shoqërohet me raste të reja të goditjes së grupeve kriminale.

Të njëjtin qëndrim shprehu edhe ambasadori Fitoussi, vendi i të cilit tashmë është i angazhuar drejtëpërdrejtë në trajnimet dhe ekspertizën në fushën e pastrimit të parave për prokurorë dhe oficerëve të policisë gjyqësore shqiptarë.

Ambasadori francez theksoi rëndësinë e madhe që ka lufta kundër korrupsionit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si edhe shprehu vlerësimin për përpjekjet e vazhdueshme të Prokurorisë Shqiptare në këtë drejtim, duke nxitur edhe angazhimin e mëtejshëm. 

Një ndër temat e tjera të diskutimit ishte edhe nevoja që ka Shqipëria për Reformën në Drejtësi dhe dy bashkëbiseduesit shprehën qëndrimin e njëjtë për forcimin e mëtejshëm të pavarësisë së institucionit të Prokurorisë, si një nga shtyllat kryesore të demokracisë.