Njoftime për Shtyp

Ristrukturohet organika e Prokurorisë për Krime të Rënda

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka vendosur ristrukturimin e Njësisë Task-Force për Antikorrupsionin në Prokurorinë për Krime të Rënda, për shkak të përfundimit të periudhës së komandimit të katër prokurorëve të atashuar pranë saj në muajin Shtator 2015, si edhe për faktin se ngarkesa e kësaj njësie nuk ka qenë e lartë, pasi nuk ka pasur referime për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë gjatë muajve të fundit nga institucionet e ngarkuara me ligj.

Në bazë të urdhërit të Prokurorit të Përgjithshëm, Njësia Task-Force pranë Krimeve të Rënda do të drejtohet nga prokuror Gentian Osmani, i cili e ka drejtuar edhe më parë këtë strukturë deri në muajin Shtator të vitit 2015. Prokurorët e komanduar pranë kësaj Njësie në muajin Shtator 2015 do të rikthehen në pozicionet e tyre të mëparshme. Në vijim, Njësia Task-Force e Prokurorisë për Krime të Rënda, do të përbëhet nga prokurorët që kanë qenë më parë pranë kësaj strukture, duke iu bashkuar edhe disa prokurorë, të cilët do të zhvillojnë hetime për veprat penale me qëllime terroriste. Në total, Njësia e ristrukturuar do të përbëhet nga 8 prokurorë. Ky bashkim objektivash hetimorë suprimon njërin prej posteve të zëvendësdrejtuesit, duke i bërë nga tre që kanë qenë deri më tani, në dy zëvendëdrejtues të Prokurorisë për Krime të Rënda.

Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur lëvizjen e drejtuesit të Prokurorisë së Korçës, Alket Mersini, me kërkesë të këtij të fundit, duke e komanduar prokuror pranë Prokurorisë së Tiranës. Në vend të tij, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës është komanduar Kol Hysenaj, aktualisht Prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

Po me kërkesë të tij, drejtuesi i Prokurorisë së Pukës, Albert Murçaj, është larguar nga ky pozicion, duke u komanduar në Prokurorinë e Shkodrës, ku do të mbajë pozicionin e zëvendësdrejtuesit. Në vendin e tij komandohet Elidian Morina (Kasa), prokurore në Prokurorinë e Pukës.