Njoftime për Shtyp

Zhvillohet tryeza e 3-të “Dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, efikasiteti dhe sfidat e prokurorisë në përballje me fenomenin”

Në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme u zhvillua ditën e sotme tryeza e 3-të “Dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, efikasiteti dhe sfidat e prokurorisë në përballje me fenomenin” në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore.

Të pranishëm ishin Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Ambasadori i Mbretërisë së Hollandës në Shqipëri, Reinout Vos, pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Aurela Anastasi në cilësinë e përfaqësueses së projektit  “Angazhim Proaktiv për mbrojtjen dhe zbatimin e ligjit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”, si dhe prokurorë, Oficerë të Policisë Gjyqësore (OPGJ) dhe koordinatorë për viktimat nga prokurori të ndryshme të vendit. 

Tryeza u fokusua në diskutimin e disa aspekteve të punës së prokurorisë në drejtim të luftës ndaj këtyre krimeve dhe sfidave që has sistemi i drejtësisë në këtë drejtim. Gjatë takimit, u prezantuan edhe rezultatet e një pyetësori të kryer me punonjësit e institucioneve përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. 

Në përfundim të tryezës, u prezantuan edhe dy video ndërgjegjësuese të përgatitura nga prokuroria e Korçës për denoncimin e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.
Kjo tryezë është pjesë e projektit 3-vjeçar, “Angazhim Proaktiv për mbrojtjen dhe zbatimin e ligjit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”, i cili zbatohet nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare me mbështetjen e Ambasadës Hollandeze. 
Projekti synon të rrisë kapacitetet e prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe koordinatorëve për subjektet me status të veçantë, në përputhje me standardet ndërkombëtare për rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, duke u përqendruar tek trajtimi i viktimave, si dhe synon përmirësimin e mbledhjes dhe administrimit të të dhënave për këto vepra penale. 

IMG-20221209-WA0018 (1)

IMG-20221209-WA0028 (3)

IMG-20221209-WA0021 (1)