Njoftime për Shtyp
Arqilea Koça zgjidhet Zëvendësprokuror i Përgjithshëm
Z. Arqilea Koça zgjidhet Zëvendësprokurori i ri i Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm, Z. Olsian Çela emëroi Z. Koça pasi mori edhe mendimin e prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme në mbledhjen përkatëse.
Z. Koça drejton Drejtorinë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është emëruar si prokuror në këtë institucion nga viti 1994, duke kontribuar në të gjitha aspektet e aktivitetit të institucionit si dhe duke drejtuar sektorë e drejtori të ndryshme.
Me një eksperiencë 30-vjeçare, Z. Koça e ka nisur karrierën në sistemin e Prokurorisë Shqiptare në vitin 1989 si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka drejtuar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Devoll deri në vitin 1994, kohë kur u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ai është diplomuar si jurist në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Dega Drejtësi, Universiteti i Tiranës në periudhën 1985-1989 dhe ka titullin “Master”.
Ai ka qenë gjithashtu pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtesisë (Universiteti i Tiranës), në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti “Luarasi”, Shkollën e Magjistraturës si dhe ekspert i trajnimit vazhdues në këtë të fundit.
Z. Koça është autor i disa monografive dhe manualeve kryesisht në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit kibernetik.
